Shqiperia, nese e zbulon eshte nje SUPRIZE!
Nga Brunilda Licaj
“Shqipëria nga pikëpamja turistike, përfaqëson rajonin më interesant të Evropës. Ky konstatim nuk bazohet në shkëlqimin e pallateve apo luksin e hoteleve, por sepse vendos njeriun përballë natyrës ”.
Më pëlqeu ta nis këtë itinerar me një fragment të shkëputur nga guida e parë turistike e territorit shqiptar realizuar nga Touring Club Italiano në vitin 1939. Duket se me kalimin e kohës, pavarësisht ndryshimeve të shumta me të cilat jemi përballur nëpër vite, akoma kjo shprehje mbetet aktuale. Ajo çfarë është më e rendësishmja, bazohet në faktin se vetë ne dhe brezat që vijnë, duhet të bëjmë të mundur vazhdimësinë e këtij realiteti. Zhvillimin e një turizmi në mënyrë të përgjegjshme duke përdorur sa më mirë resurset që disponojmë.
Ky ishte dhe një prej qëllimeve kryesore të zhvillimit të kursit një javor me temë “ Turizmi dhe kultura” realizuar si një bashkëpunim midis Universitetit të Padovës (Itali), Universitetit “A.Moisiu” Durrës dhe Universitetit “E.Cabej” Gjirokastër nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Është pothuaj ora 9 e mengjesit e datës 21 shkurt kur studentët e ardhur nga Gjirokastra, mysafirë për tre netë në qytetin e Durrësit, mbërrijnë në auditorin ku do zhvillohen leksionet, duke u bashkuar me studentët e qytetit bregdetar. Një mëngjes i qetë, pasi pushimet pas mbylljes së semestrit të parë sapo kanë filluar. Qetësi e prishur nga zhurma e shiut të rrëmbyer, e cila na shoqëron gjatë gjithë programit të asaj dite.
Gjithë kursi është konceptuar i ndarë në 3 faza të cilat gërshetohen natyrshëm me njëra-tjetrën. Faza e parë e programit përfshin leksione dhe workshop-e në auditore, vizita në sitet më të njohura kulturore, historike dhe arkeologjike të qytetit të Durrësit.
Pas një ceremonie të shkurtër, pa humbur kohë fillon prezantimi i leksionit të parë kushtuar marketingut të territorit dhe krijimit të imazhit të destinacionit turistik, atij imazhi që ne si komb po e ndërtojmë mes shumë vështirësish e që tashmë ka filluar të japë frytet e para. Turizmi ndërkombëtar dhe gjendja aktuale e tij në Shqipëri, ishte fokusi i leksionit pasardhës, i cili do vazhdonte me marrjen në shqyrtim të faktit se si justifikoje mosinteresimi për zhvillimin e turizmit gjatë periudhës së nomeklaturës, duke u bazuar në teorinë e Marksit sipas së cilës “ Shërbimet nuk ndikojnë në formimin e Produktit të Brendshëm Bruto”.
Leksionet pasdite zhvendosen në një auditor të veçantë, në hapësirat e muzeut arkeologjik , ku profesor Afrim Hoti, shpjegon dhe sjell fakte nga historiku i Durrësit antik 2700-vjeçar të rrethuar nga amforat e shumta, duke vazhduar në rrënojat e amfiteatrit romak, i cili me një kapacitet 15.000 vende, renditet ndër të parët në Evropë, pas Colosseut në Romë ( 25,000 vende) dhe Arenës në Verona me kapacitet 22.000 vende.
Turizmi dhe kultura, si pjesë e identitetit kombëtar së bashku me workshop-in e organizuar nga Giulia del Bò, krijon urën mbi të cilën do kalonte prodhimi dhe marketimi i produktit turistik, duke u bazuar në folklorin dhe pasuritë e tjera kombëtare.
Organizatat e menaxhimit të destinacionit – leksion nga Stefano Marchioro – na njeh me funksionimin e organizatave të cilat kanë si objektiv kordinimin e punës midis aktorëve turistikë me synim rritjen e performancës dhe promovimin e destinacioneve turistike në hapësirën rajonale, kombëtare apo ndërkombëtare. Udhëtimi imagjinatë nëpër web –sitet e top destinacioneve botërore Viena, Montreal, Oslo, New York shton kureshtjen e studentëve, por dhe njohuritë për tendencat e fundit për teknikat e promovimit të territorit dhe burimeve të tij.
Ashtu si pa kuptuar vjen mbrëmja që të gjithë së bashku e kalojmë në një prej lokaleve të Durrësit, ku atmosferës së krijuar i shtohen tingujt dhe meloditë tradicionale. Atmosferë e cila përfundon herët, pasi një udhëtim i gjatë na pret me agimin e ditës në vijim.
* * *
Vendosur në një kodër, rrezja e vështrimit prej së cilës saj arrin shumë kilometra larg, manastiri i Ardenicës është pika jonë e parë e vizitave në terren. Mbi një shesh, rrethuar nga qiparisat, manastiri duket sikur është futur në një kornizë, për ti rezistuar kohërave. Ndërsa ciceroni flet për historinë e tij, ikonat dhe shenjtorët, na duket sikur jetojmë ato vite larg mes riteve fetare. Manastiri i Ardenicës, jo vetëm do arrinte t’i rezistonte kohërave por nuk mbeti në harresë. Si padashur më vijnë ndërmend fragmentet nga filmat “ Udha e shkronjave”,” Kur zbardhi një ditë”, ”Emblema e dikurshme” etj., të cilat e kanë kthyer dashur padashur në një simbol këtë manastir, për shkak të atmosferës karaketristike fetare, ndonëse përfshirja në filma ishte me tendenca negativiste.
Lëmë pas manastirin dhe nisemi për në destinacionin tjetër, Apolloninë. Gjatë hyrjes në park, ndihen zhurma të lehta. Nëpër rrënoja vazhdojnë gërmimet e arkeologëve, të cilët jo shumë ditë pas vizitës sonë, bënë zbulimin e radhës, statujën e një prirësi ilir. Mozaikët dhe statujat duket sikur pëshpërisin historinë e Pompeit shqiptar. Ndërkohë koordinatorja e grupit, Elda Omari, fillon të bëjë ciceronin. Përfytyrojmë veten të ulur mes auditorëve të shkollës së famshme të Apollonisë, në të cilën studionte perandori romak Augusti, në momentin kur mori lajmin e vrasjes e xhaxhait të vet, Jul Cezarit. Apollonia, mbart në rrënojat e saj akoma histori të pazbuluara. Muret e vjetra, mes gjelbërimit të parakohshëm të fundshkurtit, duket sikur thonë: jemi këtu mes jush, mos na braktisni!
Në përfundim të këtyre dy itinerarëve, me shpirtin për të zbuluar dhe rivlerësuar thesare të tjera, jo rastësisht vazhdojmë udhëtimin drejt një destinacioni të ri, Vlorës. Një udhëtim i cili shoqërohet herë pas here nga këngët e studentëve. Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe. Duket sikur Vlora na pret të hyjmë në territorin e saj nën efektin e polifonisë labe, por tani të kënduar nga grupi i studentëve të Gjirokastrës. Pas një vizite të shpejtë në muzeun e Pavarësisë, mbrëmja na gjen në Radhimë. Aty në qetësi, fare pranë detit, duket sikur koha nuk ekziston dhe padashur stina e verës shfaqet e vakët në memorje. Jemi mësuar ta shohim Radhimën dhe gjithë rivierën gjatë sezonit turistik, të mbipopulluar e plot çadra në plazh, ndërsa po humbasim kontaktin me bukurinë, e cila e shoqëron atë në çdo stinë. Kush nuk e ka parë bregdetin e Vlorës në dimër, ka humbur pamje të mrekullueshme.
Një vizitë në Porto Palermo dhe ndërsa eksplorojmë këshjellën e Ali Pashës, sjellin ndërmend Vasiliqinë të cilës iu dhurua kjo kështjellë. Prej së largu ish baza ushtarake zgjon kureshtjen e mysafirëve italianë të cilët duan të mësojnë më tepër për historinë e kësaj baze. Ndërkaq, shtëpitë ekologjike përballë kështjellës, konfirmojnë se iniciativat për turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, janë prezente edhe në territorin shqiptar. Jo rastësisht këto shtëpi janë ngritur nga një ambinetalist i njohur për Shqipërinë, si Xhemal Mato.
Megjithëse kushtet atmosferike nuk janë në favorin tonë, ditën e katërt vazhdon vizita në parkun arkeologjik të Orikumit. Shiu i rrëmbyer na shoqëron sërish, por ai nuk ndikon në zgjedhjen për të vazhduar udhëtimin nëpër rivierë. Ndërsa mbërrijmë në lartësitë e qafës së Llogorasë, shpaloset para nesh një ngjyrë e thellë deti. Është një eksperiencë që të mbetet në kujtesë. Pas nesh, malet e mbuluara nga dëbora, ndërsa përballë një det i mrekullushëm ku nuancat blu do t’i kishin vështirë t’i imitonin dhe piktorët më të mirë të kohërave. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo bukuri, pemët e lulëzuara para kohe nën kurorat e të cilave pushon bagëtia plotësojnë dekorin. Ndërkaq, ashtu papritur, vendin e shiut e zë dielli dhe ndihemi paksa të përkëdhelur. Ndihet kudo era e malit dhe ndërsa marrim frymë thellë, jemi të përpirë nga emocionet.
http://www.albaniantravel.info
Perditsohu
Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.