Tatimi mbi Pronen

Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë

U D H Ë Z I M

Nr. 9, datë 26. 02. 2008

“Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”

Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të nenit 11, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë

U D H Ë Z O J N Ë:

1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Ky paragraf nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.

2. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

3. Me kalim të së drejtës së pronësisë, kuptohet akti i shitjes apo akti i dhurimit të pasurisë së paluajtshme. Në kuptim të nenit 11, të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë ndërtesë apo tokë.

4. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.