Regjistrimi i pasurive te Palujteshme

L I G J Nr.7843, datë 13.7.1994

PER REGJISTRIMIN E PASURIVE TE PALUAJTSHME

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
“Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit
të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I :

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Përcaktime

Për efekt të këtij ligji përdoren përcaktimet e mëposhtme:
“dëshmi/dokument (regjistrimi)”: përfshin çdo dokument
pronësie, vendim gjykate, akt të organeve shtetërore ose dokument
tjetër që kërkon regjistrim dhe që regjistrohet sipas këtij
ligji;

“gjykatë”: organi gjyqësor që zgjidh mosmarrëveshjet mbi
pronat e paluajtshme;

“harta treguese e regjistrimit”: harta ose seria e hartave të
përmendura në kapitullin III të këtij ligji;

“kartela”: fleta e volumit të regjistrit që mbahet për çdo
pasuri të paluajtshme;

“kryeregjistrues” personi i caktuar i cili është përgjegjës për
të siguruar që regjistruesit e zyrave të regjistrimit të pasurive
të paluajtshme në të gjithë vendin administrojnë zyrat e tyre të
regjistrimit në përputhje me ligjin.

“kufizim” një urdhër i regjistruesit për të kufizuar
regjistrimin ose transaksionet mbi një pasuri të paluajtshme të
caktuar;

“marrëveshje kufizuese”: akti i kufizimit mbi përdorimin e
pasurisë së paluajtshme;

“pasuri e paluajtshme”: toka, burimet ujore, ndërtesat
objektet dhe çdo gjë tjetër e paluajtshme sipas përcaktimit të
Kodit Civil;

“plan rilevimi” është dokumenti që tregon kufijtë e një pasurie
të paluajtshme e që është pjesë e regjistrit;

“pronar”: personi, emri i të cilit është regjistruar
sipas këtij ligji si pronar i pasurisë së paluajtshme;

“në përdorim”: e drejta e gëzimit për shfrytëzim e pasurive
të paluajtshme shtetërore;

“Regjistri”: bashkësia e gjithë kartelave të pasurive të
paluajtshme në një zonë të caktuar administrative të regjistrimit
të pasurive të paluajtshme;

“regjistroj”: bëj një hyrje, shënim ose regjistrim në
kartelën e mbajtur sipas dispozitave të këtij ligji;

“regjistrues”: personi përgjegjës për zyrën e regjistrimit të
pasurive të paluajtshme të një zone të caktuar administrative;

“studim/rilevim”: përcaktimi i kufijve të pronësisë mbi një
pasuri të paluajtshme, që është pjesë e kartelës;

“zonë e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”: nëndarje
ose zonë gjeografike e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave
në bashkëpunim me Kryeregjistruesin për qëllimet e regjistrimit
të pasurive të paluajtshme sipas këtij ligji ose ndonjë ligji
tjetër;

“zyra e regjistrimit”: zyra e regjistrimit të pasurive të
paluajtshme që ngrihet sipas këtij ligji.

KREU II

ORGANIZIMI I SISTEMIT TE REGJISTRIMIT
TE PASURIVE TE PALUAJTSHME

Neni 2

Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Në qendrën administrative të çdo zone të regjistrimit të
pasurive të paluajtshme të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave
për pasuritë e paluajtshme, krijohet dhe administrohet Zyra e
Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të zonës, e cila është
person juridik. Në zyrën e regjistrimit mbahen:
a) regjistra të pasurive të paluajtshme, sipas dispozitave
të kapitullit II të këtij ligji;
b) harta treguese e regjistrimit të zonës administrative,
sipas dispozitave të kapitullit III të këtij ligji;
c) të gjitha kontratat e kalimit të pronësisë, vendimet e
gjykatës, hipotekimet, aktet e trashëgimisë, dokumente të tjera
ligjore që kanë efekt mbi të drejtat mbi pasurinë e paluajtshme
si dhe planet rilevuese të pasurive të paluajtshme, indekse të
këtyre regjistrimeve si dhe regjistrime të tjera të nevojshme për
operimin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Neni 3

Kryeregjistruesi

Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në të gjithë
territorin e Republikës së Shqipërisë drejtohet nga
Kryeregjistruesi dhe zëvendësi i tij, të cilët emërohen nga
Këshilli i Ministrave.
Në mungesë të Kryeregjistruesit, për çfarëdo arësye,
zëvendëskryeregjistruesi mund të ushtrojë të gjitha të drejtat që
i jepen Kryeregjistruesit nga ky ligj.

Neni 4

Regjistruesi

Kryeregjistruesi emëron aq regjistruesa dhe
ndihmësregjistruesa sa nevojiten për administrimin e sistemit të
regjistrimit sipas dispozitave të këtij ligji në një zonë
regjistrimi të pasurive të paluajtshme;
Regjistruesi i çdo zone të regjistrimit të pasurive të
paluajtshme përgjigjet para Kryeregjistruesit për ruajtjen e
dokumentacionit dhe për të gjitha aspektet e tjera të
administrimit të Zyrës së Regjistrimit të asaj zone regjistrimi.

Neni 5

Të drejtat e regjistruesit

Përveç të drejtave të tjera që i jepen nga ky ligj,
regjistruesi ka dhe këto kompetenca:
a) Lëshon çertifikatë pronësie, qiraje apo interesave të
tjera të regjistruara në kartelë mbi pasurinë e paluajtshme,
personit që e kërkon këtë dhe që i takon.
b) Kërkon nga personi i interesuar që të paraqesë
dokumentet e pronësisë, çertifikatat ose dokument tjerët a plan
rilevimi lidhur me pasurinë e paluajtshme, qiranë ose hipotekën
në fjalë, i cili detyrohet t’i paraqesë ato;
c) Thërret çdo person që të paraqitet tek ai ose tek ndonjë
i autorizuar i tij që të japë informacion ose shpjegim në lidhje
me pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë ose hipotekën.
Të paraqesë dokumentet e pronësisë, çertifikatat ose
dokument tjetër a plan rilevimi lidhur me pasurinë e paluajtshme,
kontratën e qirasë ose hipotekën në fjalë, dhe ky person duhet të
paraqitet dhe të japë informacionin dhe shpjegimet e kërkuara;
d) Pezullon një regjistrim në rast se nuk janë të plota ose
nuk dorëzohen, dokumentet e pronësisë, çertifikata ose ndonjë
dokument tjetër, plan rilevimi, informacion ose shpjegime, si dhe
në qoftë se nuk kryhen veprimet që kërkohen sipas këtij ligji;
dh) Administron të dhënat e mësipërme dhe bën verifikimin e
tyre;
e) Shpenzimet e bëra nga zyra e regjistrimit lidhur me çdo
proces të verifikimit të pasurisë së paluajtshme në zbatim të
këtij ligji, kur janë në masë të arsyeshme dhe të shkaktuara nga
deklarimi i pasaktë i pasurisë, të paguhen nga personi deklarues
në mënyrën dhe masën e përcaktuar nga kryeregjistruesi.

Neni 6

Vula e zyrës së regjistrimit

Zyra e regjistrimit ka vulën e vet. Çdo dokument i lëshuar
nga kjo zyrë duhet të përmbajë vulën e saj.

Neni 7

Garancia e punonjësve të zyrës së regjistrimit

Kryeregjistruesi, regjistruesit dhe çdo punonjës tjetër i
zyrës së regjistrimit nuk mban përgjegjësi ligjore lidhur me
ndonjë çështje ose veprim të kryer ose të pakryer në mirëbesim
mbi bazën e dokumenteve në ushtrimin e të drejtave dhe të
detyrave që burojnë nga ky ligj ose çdo rregullore tjetër të
këtij ligji. Këta nëpunës janë subjekt i penaliteteve të
parashikuara për shkeljen e ligjit.

Neni 8

Regjistri i pasurive të paluajtshme

Çdo volum i regjistrit të zyrës së regjistrimit të pasurive
të paluajtshme përmban kartela për pasuri të paluajtshme në
pronësi publike dhe kartela për pasuri të paluajtshme në pronësi
private.
Neni 9

Efekti i regjistrimit

Menjëherë pasi pasuria e paluajtshme të jetë regjistruar,
çdo transaksion i mëtejmë që ka të bëjë me të drejtat mbi të,
duhet regjistruar në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme i jep personit si
individ, si bashkëpronar apo si përfaqësues i familjes, të
drejtën për të disponuar këtë pasuri të paluajtshme në përputhje
me ligjin.
Çdo pronar që fiton një pasuri të paluajtshme, kontratë
qiraje ose hipotekë, prezumohet se është njoftuar për çdo shënim
në regjistër lidhur me pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë
ose hipotekën.

Neni 10

Përparësia e pronësive të regjistruara

Përparësia e regjistrimit përcaktohet në varësi nga radha e
paraqitjes në mënyrë të përshtatshme të dokumenteve të tyre te
regjistruesi pavarësisht nga data e përpilimit të tyre dhe
pavarësisht se shënimi në kartelë mund të vonohet.

Neni 11

Regjistrimi i detyruar

Çdo kontratë apo dokument tjetër që ka efekt mbi të drejtat
mbi pasuritë e paluajtshme paraqiten për regjistrim jo më vonë se
tridhjetë ditë nga koha e realizimit të tij.

Neni 12

Vonesa në regjistrim

Nëse një dokument paraqitet për regjistrim më vonë se 30
ditë nga data e realizimit të tij, atëherë, përveç tarifës së
regjistrimit për çdo ditë vonesë që ka kaluar nga kjo datë, duhet
të paguhet një tarifë shtesë e barabartë me 10 për qind të
tarifës së r egjistrimit.

Neni 13

E drejta për të kërkuar regjistrim të detyruar

Në qoftë se regjistruesi bindet se një person qëllimisht
nuk e ka regjistruar një dokument, i cili duhet të regjistrohet
sipas këtij ligji, ai, nëpërmjet një lajmërimi me shkrim e
urdhëron këtë person që të paraqesë dokumentin për regjistrim
dhe, bashkë me këtë, kuota e regjistrimit apo ndonjë kuotë shtesë
e pagueshme bëhen të detyrueshme dhe paguhen nga ky person,
pavarësisht nëse dokumenti është paraqitur për regjistrim ose jo.

Neni 14

Pezullimi i regjistrimit

Kur një person që propozon një marrëveshje për një pasuri
të paluajtshme të regjistruar, bën kërkesë tek regjistruesi me
pëlqimin me shkrim të pronarit për të pezulluar veprimet për
transaksione të kësaj pasurie me persona të tjerë.
Regjistruesi i çdo dokumenti lidhur me pasurinë e paluajtshme që
përfshihet në këtë marrëveshje pezullohet për një afat (i cili
quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur paraqitet
kërkesa dhe aprovohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë
bëhet shënimi në kartelë.
Në rast se brenda afatit të pezullimit paraqitet për
regjistrim një dokument i vlefshëm nga personi që kërkon
pezullimin, ky dokument ka përparësi ndaj çdo dokumenti tjetër që
mund të paraqitet për regjistrim gjatë këtij afati të pezullimit.

Neni 15

Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në bashkëpronësi

Çdo dokument që vërteton pronësinë të dy ose më shumë personave
si dhe regjistrimi i tij në zyrën e regjistrimit, duhet të
tregojë identitetin, pjesën e secilit bashkëpronar kur kjo e
fundit është e mundshme.

KREU III

HARTAT, PASURITE E PALUAJTSHME, KUFIJTE

Neni 16

Harta treguese e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme

Regjistruesi është përgjegjës për përgatitjen dhe
mirëmbajtjen e një harte ose seri hartash, të cilat do të quhen
harta treguese të regjistrimit për zonën e regjistrimit të
pasurive të paluajtshme që mbulon kjo zyrë regjistrimi.
Harta treguese e regjistrimit duhet të tregojë kufijtë dhe
pozicionin gjeografik të pasurive të paluajtshme si dhe tregues
të tjerë.
Pasuritë e paluajtshme kanë një numër të vetëm
identifikimi, i cili do të përdoret si për të identifikuar
pasurinë e paluajtshme në kartelat e regjistrimit ashtu
edhe për të identifikuar pasurinë e paluajtshme në hartat
treguese të regjistrimit.
Për të zgjeruar informacionin e dhënë nga harta treguese e
regjistrimit, mund të dokumentohet një plan rilevimi i një
pasurie të paluajtshme të caktuar. Në këtë rast, dokumentimi i
planit të rilevimit duhet të shënohet në kartelë.

Neni 17

Korrigjimi i hartës së regjistrimit dhe shtesat e reja

Regjistruesi mund të kërkojë që të bëhet një studim/rilevim
për çdo pasuri të
paluajtshme për qëllime të këtij ligji dhe pasi të ketë njoftuar
personat e interesuar,
mund të korrigjojë hartën treguese të regjistrimit si rezultat i
studimit/rilevimit të
lartpërmendur.
Ai mund të korrigjojë çdo gabim teknik në hartën treguese
nëse nuk cenohen interesat e ndonjë personi.
Në çdo kohë regjistruesi mund të udhëzojë përgatitjen e një
harte të re treguese të regjistrimit ose të një pjese të saj dhe
në hartë mund të mos shënohet ndonjë hollësi që regjistruesi e
konsideron të vjetëruar.

Neni 18

Kufijtë

Harta treguese e regjistrimit tregon kufijtë, sipërfaqen
dhe pozicionin e përafërt të pasurisë së paluajtshme.
Kur pjesëtarët në një mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e
një apo disa kufijve arrijnë ta zgjidhin mosmarrëveshjen
regjistruesi bën korrigjimet në hartën treguese dhe në kartelat e
duhura në përputhje me marrëveshjen e arritur, dhe arshivon
marrëveshjen e firmosur nga palët pjesëmarrëse në konflikt.
Kur lind ndonjë paqartësi ose mosmarrëveshje lidhur me
pozicionin e ndonjë kufiri dhe pjesëtarët në këtë konflikt nuk
arrijnë marrëveshje lidhur me këtë, regjistruesi i udhëzon ato që
të paraqesin çështjen në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve dhe
bën një shënim në kartelë. Në qoftë se brenda këtij afati çështja
nuk është dërguar në gjykatë, atëherë regjistruesi bën shënimin
përkatës.

Neni 19

Ruajtja e shenjave të kufirit

Çdo pronar i një pasurie të paluajtshme është i detyruar të
bajë në gjendje të mirë çdo shenjë që ndan kufijtë e tij.
Regjistruesi vendos për përcaktimin e vijave ndarëse të
qëndrueshme të çdo kufiri brenda një kohe të caktuar dhe sipas
mënyrës që mund të udhëzojë ai.
Regjistruesi vendos se cili prej pronarëve fqinjë ka
përgjegjësinë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e çdo shenje që ndan
një kufi të zakonshëm, dhe ai që urdhërohet për këtë duhet të
mbajë përgjegjësi.
Brenda 30 ditëve pronarët kanë të drejtë të ankohen në
organet gjyqësore kundër urdhërit të regjistruesit. Nëse nuk
ushtrohet kjo e drejtë brenda këtij afati urdhëri prezumohet u
pranuar.

Neni 20

Dëmtimi i kufijve

Çdo person i dënuar për një vepër të dëmtimit të kufijve
pavarësisht nga dënimi me gjobë, është i detyruar të paguajë
shpenzimet për rregullimin e veçorive të kufirit dhe ky shpenzim
të konsiderohet si detyrim civil nga ana e çdo personi
përgjegjës për ruajtjen e shenjave të kufirit.

Neni 21

Bashkimet dhe ndarjet

Kur pasuritë e paluajtshme ngjitur janë pronë e të njëjtit
pronar dhe i nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve
të njëjta, me kërkesë të pronarit, regjistruesi mund t’i bashkojë
ato pasuri të paluajtshme, duke mbyllur kartelat që u takojnë
këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë apo
disa kartela të reja lidhur me pasurinë apo pasuritë e
paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe duke azhurnuar
hartën treguese të pasurive.
Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm ose të
trashëgimtarit të tij, për ndarjen e një pasurie të paluajtshme
të tij në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie të paluajtshme,
regjistruesi bën ndarjen duke mbyllur kartelën për pasurinë e
paluajtshme që ndahet, dhe hap kartela të reja dhe azhurnon
hartat treguese për pasuritë e paluajtshme të reja që dalin nga
ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjitha hyrjet që
ishin në kartelën e mbyllur.
Me kërkesë të pronarëve të pasurive të paluajtshme fqinjë,
të cilët dëshirojnë të ndryshojnë kufijtë ndërmjet pasurive të
paluajtshme të tyre, dhe, me pëlqimin e dhënë me shkrim nga të
gjithë personat e tjerë, në emër të të cilëve është regjistruar
çdo e drejtë a pronësi mbi këto pasuri të paluajtshme,
regjistruesi anullon kartelat e këtyre pasurive të paluajtshme
dhe azhurnon kartelat dhe hartën treguese të regjistrimit në
përshtatje me konfiguracionin e ndryshuar të pasurive të
paluajtshme.
Në rast se regjistruesi mendon se një rindarje e propozuar
përmban ndryshime rrënjësore të pronësisë mbi pasurinë, të cilat
duhen rregulluar nëpërmjet kalimeve të pronësisë regjistruesi
refuzon këtë rindarje.
Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë
që fshin të drejtat reale.
Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e
paluajtshme të tij, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një
plan rilevimi të nëndarjeve të propozuara të përgatitura prej një
topografi të licensuar dhe të vërtetuar nga organi përkatës se
është në përputhje me ligjet në fuqi.

Neni 22

Kalimi i pronësisë së një pjese të pasurisë së paluajtshme

Asnjë pjesë në natyrë të pasurisë së paluajtshme të
përfshirë në një kartelë nuk kalohet në pronësi tjetër në qoftë
se pronari nuk e ka ndarë pasurinë e paluajtshme më parë, në
përputhje me ligjin, dhe në qoftë se nuk janë hapur kartela
të reja për çdo nëndarje të pasurisë së paluajtshme.

KREU IV

REGJISTRIMI I PARE I NJE PASURIE TE PALUAJTSHME

Neni 23

Regjistrimi fillestar

Regjistrimi fillestar i çdo pasurie të paluajtshme bëhet me
përgatitjen e një kartele në pajtim me dispozitat e këtij ligji
dhe në përputhje me dispozitat e çdo akti që përcakton pronësinë
ose marrëveshjet apo detyrimet që ekzistojnë për pasuritë e
paluajtshme.

Neni 24

Mënyra e regjistrimit fillestar

Regjistruesi, një person ose çdo grup i ngarkuar nga
kryeregjistruesi kërkon që pronësia si dhe kufijtë e çdo pasurie
që duhet regjistruar, të dokumentohen duke përdorur kriteret e
mëposhtme:
a) Pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme duhet të
konsiderohen të përcaktuara nga dokumentet e pronësisë sipas
ligjit 7501, datë 19.7.1991, kontratat
e privatizimit të bëra sipas ligjit 7652, datë 23.12.1992,
vendimet e komisioneve të rikthimit të pronave sipas ligjit 7698,
datë 15.4.1993, ligje apo dokumente të tjera zyrtare të cilat
njohin pronësinë private, apo vendime gjykate;
b) Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo
shtetërorë që zotërojnë pronën në përputhje me legjislacionin dhe
që nuk disponojnë dokumente pronësie sipas pikës “a” janë të
detyruar t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim
pronësie. Kjo kërkesë duhet të përmbajë deklaratën pe rsonale të
pronësisë të vërtetuar tek noteri, një gent-plan të pasurisë,
deklaratat noteriale të pronarëve fqinjë për vërtetimin e çka
është thënë në kërkesë në lidhje me pronësinë dhe kufijtë
e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri
të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim.
c) Sipas të dhënave të mara nga pikat “a” dhe “b”, të bëhet
regjistrimi i përkohshëm.

Neni 25

Njoftimi publik

Regjistrimi i përkohshëm duhet të afishohet për 90 ditë në
një vend të përshtatshëm për konsultim publik brenda zonës
gjeografike ku këto pasuri janë të lokalizuara.
Gjithashtu do të bëhet edhe një njoftim për këtë periudhë
90 ditëshe sipas një mënyre publike për të lajmëruar individët që
mund të bëjnë ndonjë pretendim për pasuritë e paluajtshme.
Gjatë kohës së afishimit të gjitha gabimet apo pretendimet
duhet t’i bëhen të ditura regjistruesit. Asnjë pretendim i
paraqitur pas kësaj periudhe 90 ditëshe, nuk do të pranohet për
shqyrtim.

Neni 26

Ligjërimi i regjistrimit fillestar

Pas periudhës së afishimit publik, sipas paragrafit të parë
të nenit 25, të gjitha pasuritë e paluajtshme për të cilat nuk ka
asnjë pretendim të pazgjidhur do të regjistrohen siç janë në
kartelat dhe hartat treguese të përkohshëm dhe që nga ky moment
regjistruesi mund të lëshojë çertifikatat e pronësisë si dhe
çertifikata të tjera që mund të kërkohen në lidhje me përmbajtjen
e kartelave dhe hartave treguese.

Neni 27

Zgjidhja e pretendimeve për regjistrimin fillestar

Regjistruesi konsulton me palët pretenduese informacionet
që ndodhen në kartela apo në hartat treguese me qëllim që të
qartësohen dhe të korrigjohen gabimet materiale si dhe të
zgjidhen mosmarrëveshjet. Të tilla korrigjime apo marrëveshje
duhet të bëhen me shkrim, të firmosen nga palët dhe të jenë me
akt noterial. Çdo mosmarrëveshje që është zgjidhur më parë nga
komisionet e njohura me ligj apo gjykata, ndalon veprimet e
mëtejshme të regjistruesit.
Mosmarrëveshjet që nuk mund të zgjidhen në mënyrë të tillë
që palët pjesëmarrëse të bien dakord i kalojnë për shqyrtim
gjykatës kompetente, dhe bëhet një shënim në kartelë për të
treguar ekzistencën e një mosmarrëveshje si dhe gjykata të cilës
i është dërguar çështja.

KREU V

ÇERTIFIKATAT DHE KONTROLLET

Neni 28

Çertifikatat e pronësisë dhe çertifikatat e qirasë

Me kërkesë të pronarit të një pasurie të paluajtshme ose të
qiramarrësit, të cilëve nuk u është lëshuar asnjë çertifikatë
pronësie ose qiraje, regjistruesi i lëshon pronarit një
çertifikatë pronësie ose qiraje, sipas rastit, në formë të
shkruar duke pasqyruar të gjithë informacionet që ndodhen në
kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi pasurinë e
paluajtshme apo mbi kontratën e qirasë.
Për çdo pasuri të paluajtshme, për çdo kontratë qiraje apo
hipoteke lëshohet vetëm një çertifikatë.
Çertifikata e pronësisë, e qirasë apo e hipotekës është
dëshmi e vlefshme për çështjet që tregohen në të, ndërsa pasuria
e paluajtshme kontrata e qirasë apo hipotekës i nënshtrohen të
gjitha atyre që janë shkruar në kartelë si në rastin kur këto
shënohen në çertifikatë ashtu edhe kur nuk shënohen.
Data e lëshimit të çertifikatës së pronësisë, së qirasë apo
hipotekës shënohet në kartelë.

Neni 29

Çertifikatat e humbura ose të prishura

Në rast se një çertifikatë që ka marrë çdo person i
interesuar sipas nenit 28 ka humbur ose është prishur, ai mund
t’i kërkojë regjistruesit ku ndodhet pasuria e paluajtshme
lëshimin e një çertifikate të re, duke paraqitur të dhëna të
mjaftueshme që regjistruesi të bindet për humbjen ose prishjen e
çertifikatës së mëparshme. Në rast se ai bindet lidhur me këtë
fakt dhe pasi publikon një njoftim që ai e sheh të përshtatshëm,
regjistruesi lëshon një çertifikatë të re duke bërë shënimin
përkatës në kartelë. Kur gjendet çertifikata e humbur, ajo i
dorëzohet regjistruesit për asgjësim.

Neni 30

Kontrollet dhe kopjet

Çdo person mund të shohë, konsultojë apo kontrollojë çdo
kartelë dhe mund të kërkojë një kopje të vërtetuar të saj, çdo
pjesë të hartës treguese të regjistrimit, çdo dokument pronësie
apo plan rilevimi të depozituar në zyrën e regjistrimit, duke
paraqitur një kërkesë me shkrim dhe kundrejt një tarife të
caktuar.

Neni 31

Dëshmia

Kopje të kartelës të vërtetuar nga regjis truesi, pjesë të
hartës treguese, të një plani rilevimi ose dokumenti pronësie të
depozituar në zyrën e regjistrimit pranohet si e barazvlefshme me
origjinalin në të gjitha veprimet dhe çështjet me të dhe për të
gjithë personat ose palët përderisa nuk është provuar e kundërta.

KREU VI

REGJISTRIMI I KONTRATAVE TE QIRASë, HIPOTEKAVE DHE TAPIVE
“NE PERDORIM” DHE INTERESAVE TE TJERA PER PASURITE
E PALUAJTSHME

Neni 32

Regjistrimi i kontratës së qirasë

Kontrata e qirasë për një pasuri të paluajtshme për një
periudhë kohe më të vogël se një vit nuk kërkohet që të
regjistrohet. Çdo kontratë tjetër qiraje për një pasuri të
paluajtshme duhet të regjistrohet në seksionin përkatës të
kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit.
Në qoftë se një kontratë qiraje me një zgjatje kohore një
vit ose më shumë është për një pjesë të një pasurie të
paluajtshme shtetërore, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së
paluajtshme mbyllet dhe hapen dy kartela të reja, një për pjesën
që është dhënë me qira dhe një tjetër për pjesën tjetër të
pasurisë së paluajtshme që mbetet. Gjithashtu, bëhen shënimet
përkatëse në hartën treguese të pasurive të paluajtshme.

Neni 33

Regjistrimi i hipotekave

Hipotekimi kërkon regjistrimin e hipotekës në seksionin
përkatës të kartelës së pasurisë të paluajtshme ose një pjese të
saj që përdoret si garanci për detyrimin, regjistrimin e
personit, në favor të të cilit ajo krijohet, si pronar të saj dhe
depozitimin e dokumentit në dosje. Zbatohen rregullat për
regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

Neni 34

Regjistrimi i hipotekës ligjore

Me regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, regjistruesi
duhet të bëjë regjistrimin e hipotekës ligjore të rrjedhur nga
një kontratë shitje në seksionin e duhur të kartelës të pasurisë
së paluajtshme që shitësi ka mbi këtë pronë.

Neni 35

Fshirja e hipotekës

Regjistruesi në bazë të kërkesës me shkrim të paraqitur në
formën e përcaktuar nga ligji vendos fshirjen e regjistrimit të
hipotekës kur janë plotësuar kushtet sipas dispozitave përkatëse
të Kodit Civil. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet akti që
jusitifikon fshirjen e hipotekës. Veprimet përkatëse nënshkruhen
nga regjistruesi.

Neni 36

Regjistrimi i titujve “në përdorim”

Për çdo titull “në përdorim” që është dhënë, për pasuri të
paluajtshme pronë e shtetit, do të krijohet një kartelë e veçantë
si dhe të pasqyrohet në hartën treguese të pasurive të
paluajtshme. Zotëruesi i titullit “në përdorim” shënohet në
seksionin përkatës ndërsa në seksionin e pronarëve si pronar i
kësaj pasurie të paluajtshme shënohet shteti.

Neni 37

Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme të fituar me
parashkrim fitues

Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme të fituar me
parashkrim fitues bëhet me paraqitjen para regjistruesit të një
kopje të vendimit të gjykatës, të fitimit të pasurisë së
paluajtshme me parashkrim fitues.
Në përputhje me këtë vendim, regjistruesi regjistron si
pronar të pasurisë së paluajtshme personin që e ka fituar atë me
parashkrim fitues.

Neni 38

Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit,
me vendim të gjykatës apo të një akti administrativ

Në rastet kur shteti, personi fizik ose juridik ka fituar
të drejtën e pronësisë mbi një pasurie të paluajtshme, ka lidhur
një kontratë qiraje ose ka vënë hipotekë në bazë të ligjit,
vendimit të gjykatës apo të aktit të një organi administrativ,
regjistruesi mbështetur në këto akte që personi i interesuar ja
paraqet, bën regjistrimin duke shënuar pronar shtetin, personin
fizik ose juridik që i ka kaluar e drejta e pronësisë.

Neni 39

Regjistrimi i pjesëtimit të një pasurie së paluajtshme
që është në bashkëpronësi

Në rast se bashkëpronarët me akt noterial bien dakord për
pjesëtimin e pasurisë së paluajtshme mund të bëhet regjistrimi i
kësaj pasurie sipas formularit të caktuar për këtë pjesëtim.
Formularit i bashkëngjitet akti noterial i pjesëtimit.
Kërkesa për regjistrim bëhet nga:
a) njëri ose disa prej bashkëpronarëve
b) çdo person, në favor të të cilit është dhënë një vendim
gjykate për shitjen e një pjese të pandashme të pasurisë së
paluajtshme.
Ndarja kryhet duke ndjekur procedurën e përcaktuar në nenin
21.

Neni 40

Regjistrimi i prokurës

Me kërkesë të të përfaqësuarit ose përfaqësuesit prokura
regjistrohet në seksionin e pronësisë të kartelës së kësaj
pasurie të paluajtshme dhe origjinali depozitohet në arkiv.

Neni 41

Regjistrimet e akteve të kryera në shtetet e tjera

Të gjitha aktet e kryera në shtete e tjera kur paraqiten
për regjistrim duhet të jenë përkthyera dhe legalizuara
rregullisht.

KREU VII

SERVITUDAT, MARREVESHJET KUFIZUESE DHE KUFIZIMET

Neni 42

Regjistrimi i servitudeve

Pronari i një pasurie të paluajtshme regjistron një
servitud duke i paraqitur regjistruesit aktin e krijimit të
servitudit në formën e kërkuar nga ligji; ai duhet të
përmbajë:
a) natyrën e servitudit, periudhën për të cilën ka efekt ky
servitud si dhe ndonjë konditë apo kufizim që ka efekt mbi të;
dhe
b) pasurinë e paluajtshme ose pjesën e saj, që preket nga
ky servitud.
Dokumenti me anë të të cilit zbatohet një servitud vendoset
në dosje. Ai përmban një plan rilevimi që nevojitet për të
përcaktuar vendndodhjen dhe shtrirjen e servitudit.
Servitudi regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së
pasurisë së paluajtshme.

Neni 43

Regjistrimi i marrëveshjes kufizuese

Kur dokumenti përmban një marrëveshje kufizuese, i
paraqitet regjistruesit. Ai e regjistron atë në seksionin
përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme që
i nënshtrohet marrëveshjes kufizuese, duke shënuar veçantitë e
marrëveshjes, ose duke ju referuar dokumentit që përmban
marrëveshjen, dhe e depoziton atë në dosje.

Neni 44

Regjistrimi i kufizimeve

Për parandalimin e ndonjë mashtrimi, veprimi të padrejtë
ose të pamjaftueshëm, regjistruesi lëshon urdhër për regjistrimin
e kufizimit në seksionin përkatës të kartelës, me ose pa kërkesën
e personit të interesuar për pasurinë e paluajtshme, kontratën e
qirasë ose hipotekën pasi të ketë udhëzuar që të dëgjohen ata
persona që ai i mendon të përshtatshëm. Ky urdhër ndalon ose
kufizon veprimet me këtë pasuri të paluajtshme.
Një kufizim mund të zgjasë:
a) për një periudhë të caktuar;
b) deri me realizimin e një ngjarje të caktuar;
c) deri me nxjerrjen e një urdhëri të dytë.
Regjistruesi urdhëron që të regjistrohet një kufizim në
rastet kur ai sheh se e drejta e pronarit për të vepruar mbi
pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë ose hipotekën është e
kufizuar.

Neni 45

Njoftimi dhe efekti i kufizimit

Me regjistrimin e një kufizimi, regjistruesi njofton me
shkrim pronarin lidhur me këtë.
Sa kohë që një kufizim mbetet i regjistruar, nuk duhet të
regjistrohet asnjë dokument që nuk pajtohet me të, pa urdhrin e
regjistruesit ose vendimin e gjykatës.

Neni 46

Ndryshimi i kufizimeve

Kur personi i interesuar me kërkesë të noteruar vërteton që
nuk ka arsye për kufizim në pasurinë e paluajtshme, regjistruesi
urdhëron heqjen ose ndryshin e tij.
Pronari që preket nga kufizimi ka të drejtë t’i drejtohet
gjykatës. Kjo vendos për çështjen.

Neni 47

Shuarja dhe ndryshimi i Servitudeve,
Marrëveshjeve Kufizuese

Me paraqitjen e kërkesës dhe dokumenteve të nevojshme nga
personi në dobi të të cilit është vënë servitudi, ose me
paraqitjen e kërkesës të përbashkët të palëve të një marrëveshje
kufizuese për shuarje ose ndryshim të saj, bëhet regjistrimi
përkatës.

KREU VIII

KORIGJIMI DHE KOMPENSIMI PER GABIMET NE REGJISTER

Neni 48

Korrigjimi nga regjistruesi

Regjistruesi mund të korigjojë kartelën ose ndonjë dokument
të paraqitur për regjistrim në rastet e mëposhtme:
a) në rastin e gabimeve ose mungesave që nuk prekin
materialisht interesat e një pronari;
b) kur personi paraqet vendimin e gjykatës që vërteton një
fakt pronësie me anën e parashkrimit fitues;
c) në çdo rast dhe në çdo kohë me pëlqimin e të gjithë
personave të interesuar;
d) kur, pas një rilevimi, del se një përmasë ose një
sipërfaqe e treguar në kartelë ose në Hartën Treguese të Pasurive
është e pasaktë. Në kët ë rast, regjistruesi njofton më parë të
gjithë personat e shënuar në regjistër, të cilët janë të
interesuar ose që preken nga ky korigjim i propozuar.
dh) Me vërtetimin e ndryshimit të emrit ose adresës së një
pronari dhe me kërkesën me shkrim të pronarit, regjistruesi
regjistron ndryshimin në kartelë.
Kryeregjistruesi mund ta rishikojë vendimin e regjistruesit
për korigjimin e kartelës.

Neni 49

Procedura për kërkimin e dëmshpërblimit

Me kërkesë të çdo pale të interesuar regjistruesi merr
vendim të veçantë nëse një e drejtë për dëmshpërblim, për dëme të
shkaktuara që vijnë si rezultat i një regjistrimi të një
informacioni jo të rregullt, duhet të ngrihet në pajtim me
dispozitat e këtij ligji. Me miratimin e kryeregjistruesit
caktohet masa e dëmshpërblimit për dëmin e shkaktuar në lidhje me
çështjen.

Neni 50

Masa e dëmshpërblimit

Kur jepet një dëmshpërblim në lidhje me ndonjë humbje të
pronësisë mbi një pasuri të paluajtshme, ai llogaritet në
përputhje me rregulloren që shoqëron këtë ligj.

KREU IX

VENDIMET E REGJISTRUESIT DHE ANKIMET

Neni 51

E drejta e regjistruesit për të dhënë mendim

Mosmarrëveshjet që i paraqiten kryeregjistruesit në lidhje
me ushtrimin e të drejtave se zbatimin e detyrave,
kryeregjistruesi është i detyruar para se të marrë vendim t’i
kërkojë regjistruesit mendimin me shkrim.

Neni 52

Ankimet

Pala ankuese brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së
njoftimit të këtij vendimi, udhëzimi, urdhëri, përcaktimi ose
akordimi nga kryeregjistruesi, mund të njoftojë regjistruesin me
anë të nje formulari të caktuar për synimin e tij për t’i bërë
ankim gjykatës përkatëse kundër vendimit, udhëzimit, urdhërit,
përcaktimit ose akordimit.
Me marrjen e njoftimit të ankimit, regjistruesi përgatit
dhe i dërgon gjykatës përkatëse, me një kopje të informacionit të
kryeregjistruesit dhe të ankuesit dhe çdo personi tjetër që është
në regjistër e që atij i duket se lidhet me ankimin, një raport
të shkurtër në lidhje me çështjen në fjalë.
Kur pala ankuese i kërkon regjistruesit t’ia kalojë
çështjen gjykatës, kjo palë depoziton tek regjistruesi shumën e
nevojshme për të mbuluar shpenzimet e përgatitjes së dokumenteve.

Neni 53

Efekti i ankimit

Në kartelën e pasurisë së paluajtshme të prekur nga ankimi
duhet të bëhet një shënim se një ankim drejtuar kryeregjistruesit
ose gjykatës është në pritje për zgjidhje dhe çdo tjetërsim duhet
t’i nënshtrohet këtij shënimi.

KREU X

TARIFAT DHE KUNDRAVAJTJET

Neni 54

Tarifat

Për çertifikatat e pasurive të paluajtshme, qirave, kopjeve
të vërtetuara, kontrolleve, planeve të rilevimit, formularët e
shtypur etj. që lidhen me regjistrimin duhet të paguhen tarifa.
Regjistruesi refuzon veprimin derisa të paguhet tarifa.
Tarifa vendoset nga Këshilli i Ministrave.
Në fund të çdo viti financiar, çdo e ardhur shtesë mbi
buxhetin e zyrës së regjistrimit kalon në buxhetin e zyrës
qendrore.

Neni 55

Kundravajtjet

Çdo deklarim ose veprim që bie në kundërshtim me nenet 11,
19, 24, 44 e 45, kur nuk përbën vepër penale, dënohen me gjobë
nga regjistruesi në masën nga 5 000 deri në 50 000 lekë. Kundër
vendimit të dënimit mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga
dita e shpalljes ose e njoftimit në gjykatën e rrethit ku është
kryer kundravajtja.
Shqyrtimi i kundravajtjeve administrative dhe ekzekutimi i
vendimeve bëhet sipas ligjit “Për kundravajtjet administrative”.

KREU XI

TE NDRYSHME

Neni 56

Rregullat

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë aktet
nënligjore për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.

Neni 57

Fillimi i zyrave të regjistrimit

Data e fillimit të funksionimit të secilës zyre regjistrimi
sipas këtij ligji caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Me fillimin e funksionimit të zyrave të regjistrimit të
pasurive të paluajtshme,të gjitha dokumentet ekzistuese të
pasurive të paluajtshme sipas nenit 24, që ndodhen në organet
përkatëse para daljes së këtij ligji, të kalojnë në administrim
të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Neni 58

Të gjitha dispozitat që bien në kundërshtim me këtë ligj
shfuqizohen.

Neni 59

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren
Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.907, datë 16.08.1994 të Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Sali Berisha

Apartament per shitje ne Vlore,Toke per shitje,Apartamente me qera,Tirane,Vlore,Durres,Sarande,Orikume,Radhime,Dhermi,Himare,Ksamil,Pushime ne Shqiperi,Manaxhim Pronash